Gjykata e Qarkut Bülach në Zvicër dha vendimin për katër shqiptarë, të moshës 27 deri në 36 vjeç, të përfshirë në trafikimin e rreth 44 kg kokainë të pastër nga Cancúni i Meksikës në Cyrih. Ngjarja u zhvillua në korrik 2024 në aeroportin e Cyrihut.
Tre nga të dënuarit udhëtuan nga Frankfurti drejt Cyrihut, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tjerë erdhën nga Amsterdami. Ata u drejtuan te karuseli i bagazheve i një fluturimi nga Cancúni, ku morën katër valixhe që përmbanin drogën. Njëri prej tyre kishte kontrolluar më parë zonën doganore për të shmangur dyshimet. Pas kalimit nga sektori "asgjë për të deklaruar", valixhet u transportuan nga i katërti, që veproi si shofer, në një hotel pranë aeroportit. Aty, droga iu dorëzua shqiptarëve të tjerë të paidentifikuar.
Rasti u zbulua kur një çantë shpine e zezë me rreth 10 kg kokainë mbeti në karusel, pasi kishte rënë nga një valixhe e dëmtuar gjatë shkarkimit. Të katër shqiptarët u arrestuan menjëherë dhe kanë qëndruar në burg që atëherë.
Gjatë gjyqit, njëri prej tyre deklaroi se një kilogram kokainë shitej për 32 000 franga zvicerane në Zvicër. Autoritetet dyshojnë se trafikantët në Cancún kishin paguar ryshfet punonjësve të aeroportit për të lehtësuar transportin, duke vendosur etiketa të udhëtarëve të vërtetë mbi valixhet.
Për tre të dënuarit, prokurori kërkoi në procedurë të përshpejtuar dënime prej 3, 4 dhe 5 vitesh burg si dhe dëbim 10-vjeçar, të cilat gjykata i miratoi plotësisht. Për shqiptarin 27-vjeçar, që luajti rol kryesor, çështja u trajtua në gjyq të plotë. Sipas disa burimeve, ai u dënua me 10 vite burg dhe dëbim 10-vjeçar, ndërsa të tjera raportojnë 8 vite burg dhe dëbim 12-vjeçar. Të pandehurit pranuan fajin gjatë procesit.