Katër zyrtarë të Policisë së Kosovës pësuan lëndime të lehta trupore gjatë arrestimit të një 45-vjeçari me inicialet B.K. në fshatin Samadraxhë të Suharekës. Ngjarja ndodhi të martën, më 10 mars 2026, rreth orës 08:30.
Sipas njoftimit policor, një qytetar paraqiti ankesë se i dyshuari kishte bllokuar rrugën „Ramush Kotori“, duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, çka pengonte qarkullimin e lirë të banorëve.
Patrullat policore intervenuan menjëherë në vendngjarje. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari sulmoi zyrtarët me armë të ftohtë (thikë). Policia neutralizoi sulmin dhe e arrestoi.
Gjatë procesit të arrestimit, për shkak të kundërshtimit të dhunshëm, katër zyrtarë pësuan lëndime të lehta trupore, por jo nga thika.
I dyshuari u shoqërua në Stacionin Policor të Suharekës. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, pritet të ndërmerren veprimet e mëtejshme procedurale në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.