Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në mbledhjen e mbajtur më 30 korrik 2026, ka vendosur t'i hapë rrugë rikthimit të KB Vëllaznimi në elitën e basketbollit kosovar. Klubi gjakovar kishte aplikuar për një "Wild Card", kërkesë e cila u miratua pasi KB Drita e Gjilanit, e cila kishte të drejtën e pjesëmarrjes, nuk arriti të plotësonte kriteret e nevojshme për licencim.
Ky vendim shënon fundin e një periudhe pasigurie për skuadrën e Vëllaznimit, e cila në edicionin e kaluar kishte rënë nga kategoria pas interpretimeve të diskutueshme të rregulloreve nga përgjegjësit e garave të FBK-së. Klubi paraprakisht kishte paralajmëruar mundësinë e ndjekjes së rrugëve ligjore për të kontestuar rënien nga liga.
Vendime të tjera të Bordit të FBK-së
Gjatë të njëjtës mbledhje, Bordi i FBK-së ndërmori një sërë vendimesh të tjera lidhur me organizimin e sezonit të ardhshëm:
• Miratimi i Propozicioneve të Garave, si dhe rregulloreve për licencim, regjistrim dhe kalim të lojtarëve.
• Përcaktimi i kalendarëve zyrtarë për ProCredit Superligën, Superligën e Femrave dhe Ligën e Parë të Meshkujve për sezonin 2026/27.
• Miratimi i fondit të shpërblimeve prej 34 mijë eurosh për ProCredit Superligën dhe 34 mijë eurosh për Superligën e Femrave.
• Pjesëmarrja e KB Kosovarit dhe KB Peja B në Ligën e Parë të Meshkujve.
• Caktimi i afatit deri më 15 shtator 2026 për paraqitjen e lojtarëve të kategorive të reja.
Bordi gjithashtu refuzoi ankesat e klubeve në lidhje me tarifat e reja të kotizimit, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më 15 korrik 2026.