Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka kërkuar zyrtarisht ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, përshpejtimin e procedurave për caktimin e datës së seancës konstituive të Kuvendit. Kjo kërkesë vjen pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.
Sipas KDI-së, periudha 30-ditore e parashikuar me Kushtetutë përbën afatin maksimal dhe nuk duhet të shndërrohet në një periudhë pasigurie apo bllokade, duke qenë se vendi ka nevojë urgjente për institucione me mandat të plotë. Instituti thekson se Haxhiu mban përgjegjësinë institucionale për të evituar çdo vonesë të panevojshme dhe për të siguruar që konstituimi të ndodhë përpara datës 7 gusht, e cila paraqet kufirin e fundit ligjor.
Në thirrjen e tij, KDI i ka kërkuar ushtrueses së detyrës së presidentes që:
• Të njoftojë publikun brenda 48 orëve në lidhje me rrjedhën e konsultimeve me partitë parlamentare.
• Të caktojë datën e seancës në një afat që shmang afrimin me kufirin e fundit kushtetues.
• T’u kërkojë subjekteve politike pjesëmarrje konstruktive, në mënyrë që Kuvendi të funksionalizohet plotësisht dhe të mos mbetet një veprim formal.
Nga ana e saj, Albulena Haxhiu ka deklaruar se do ta thërrasë seancën brenda afateve të përcaktuara. Ajo ka njoftuar më herët për përpjekjet e saj, duke përfshirë kërkesën për pezullimin e afatit për zgjedhjen e presidentit dhe thirrjet për pjesëmarrjen e opozitës në procese.