Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilloi mbledhjen e parë pas Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të 16 shkurtit 2026. Nën drejtimin e presidentit Armand Duka, Komiteti zgjodhi Lufti Nuriu dhe Geri Çipi si zëvendëspresidentë për katërvjeçarin e ardhshëm.
FSHF do të prezantojë së shpejti fanellat e reja të Kombëtares A. Kuqezinjtë do të luajnë me to në ndeshjen play-off të Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë, e cila zhvillohet më 26 mars 2026 në Varshavë.
Fushata promovuese
Komiteti miratoi një fushatë promovuese për prezantimin e fanellave të reja. Kjo përfshin realizimin e një spoti televiziv, promovim në rrjetet sociale dhe kanale të tjera, për të rritur ekspozimin e Kombëtares dhe lidhjen me tifozët.
Fan Zone në Tiranë
Po ashtu, miratuan organizimin e një Fan Zone-je në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë. Kjo do të ofrojë:
- Transmetim live të ndeshjes;
- Muzikë live me këngëtarë dhe DJ;
- Aktivizime promocionale dhe pije për tifozët.
Aktiviteti realizohet në bashkëpunim me partnerët Vodafone, Credins Bank, Uji Tepelenë dhe Birra Vatan. Detajet e tjera do të njoftohen më vonë.
Përditësime
TV Klan ka të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjes play-off të Kombëtares kundër Polonisë.