Keisuke Honda, ish-mesfushori ofensiv i Milanit dhe ikonë e futbollit japonez, ka nënshkruar kontratë me klubin FC Jurong të Singapore Premier League në moshën 39-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga vetë klubi më 10 prill 2026, duke njoftuar se ai do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Honda, i cili ka luajtur dhe shënuar në tre Kupa Bote, vjen pas një përvoje të shkurtër me Paro FC të Butanit në sezonin 2024/25, ku zhvilloi dy ndeshje dhe realizoi dy gola. Më parë, në vitin 2021, ai ka qenë te FK Suduva e Lituanisë. Karriera e tij përfshin klube në Japoni, Holandë, Rusi, Itali, Meksikë, Australi, Brazili dhe Azerbajxhan.
Në një deklaratë, Honda shpjegoi se ky hap lidhet me sfida personale, përfshirë përpjekjen për të luajtur dhe shënuar në më shumë kampionate kombëtare se çdo futbollist tjetër. “Objektivi im kryesor me këtë klub është të fitojmë titullin kampion. Ka disa rivalë shumë të fortë, kështu që do të jetë një sfidë e vështirë, por jam i vendosur ta arrijmë”, u shpreh ai.
Ai u tërhoq nga kombëtarja e Japonisë pas Kupës së Botës 2018 në Rusi, me një bilanc prej 98 ndeshjesh dhe 38 golash. Përtej lojës, Honda drejton një fond investimesh, zotëron një klub amator në Japoni dhe ka qenë trajner i kombëtares së Kamboxhias nga gushti 2018 deri në janar 2023.
FC Jurong, i njohur më parë si Albirex Niigata Singapore, vlerësoi ardhjen e tij si një hap të rëndësishëm. “Për të ndërtuar një kështjellë të madhe, të duhet një themel i fortë. Në atë themel, ne vendosim për Honda”, deklaroi kryetari Daisuke Korenaga.