Kenan Yildiz, fantazisti 21-vjeçar i Juventusit, shmangu komentet për të ardhmen e tij profesionale pas fitores ndaj Benficës në Ligën e Kampioneve. Në një intervistë për TRT Spor, ai u shpreh se kontrata e tij, e vlefshme deri në vitin 2029, nuk është temë diskutimi tani.
Yildiz deklaroi: "Kontrata? Nuk flas për të. Jam i përqendruar vetëm në fushën e lojës dhe në atë që duhet të bëj këtu. Ndihem mirë te Juventusi dhe kjo është ajo që ka rëndësi tani. Këtu është shtëpia ime."
Ai foli edhe për ambiciet në Ligën e Kampioneve: "Është gjithnjë speciale, por duhet ta përgatisim si të gjitha ndeshjet, si në Serie A. Duhet të japim 100%. Stërvitemi dhe punojmë shumë mirë dhe sa herë zbresim në fushë, duhet të bëjmë gjithçka në mënyrën e duhur, sepse duam të shkojmë deri në fund."
Sa i përket raportit me trajnerin Luciano Spalletti, Yildiz theksoi: "Ka thënë se më do si djalin e tij. Te Juventusi ndihem shumë mirë, kjo është skuadra ime. Me trajnerin kam një raport të veçantë, është një njeri fantastik, bën shumë për mua dhe përpiqem të jap maksimumin për të dhe për skuadrën."
Lidhur me krahasimet me Lamine Yamal, lojtari u tregua i matur: "Është një futbollist i shkëlqyer, një prej lojtarëve më të mirë në botë. Mua nuk më pëlqejnë krahasimet; mendoj vetëm të bëj punën time, të përmirësohem ditë pas dite dhe të jap maksimumin për Juventusin, klubin, skuadrën dhe tifozët."
Interesi nga klubet e tjera ka shtyrë drejtuesit e Juventusit të mendojnë për rinovimin e kontratës dhe përmirësimin e pagës, por Yildiz mbetet i fokusuar te ndeshjet e ardhshme.