Këshilli Bashkiak i Tiranës ka formalizuar kërkesën për praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e radhës, të caktuar për ditën e martë, më 29 shtator 2026, në orën 15:00. Në shkresën drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kërkohet që Veliajt t’i jepet leje e përkohshme për të marrë pjesë fizikisht në sallën e Këshillit. Në rast të pamundësisë për prani fizike, për shkak të masave kufizuese, Këshilli ka propozuar pjesëmarrjen e tij nëpërmjet modaliteteve të komunikimit në distancë, si videokonferenca ose forma të tjera të aprovuara.
Sipas dokumentit, nevoja për pjesëmarrjen e kryetarit buron nga rëndësia e çështjeve që do të shqyrtohen, duke përfshirë pikën 11 të rendit të ditës, e cila lidhet me qëndrimin zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Këshilli argumenton se pjesëmarrja e kryebashkiakut është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e domosdoshme për prezantimin e drafteve, buxhetit dhe raporteve vjetore, duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025.
Anëtari i Këshillit Bashkiak, Halit Valteri, ishte ai që kërkoi fillimisht pjesëmarrjen e kryebashkiakut për të diskutuar drejtpërdrejt pikat 7, 8 dhe 11 të rendit të ditës. Institucioni ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar për çdo kërkesë lidhur me sigurinë, protokollin apo logjistikën dhe ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të kthejnë përgjigje me shkrim mbi vendimmarrjen e tyre për këtë çështje.