Këshilli i Ministrave miratoi më 5 mars rregulla të reja për "shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare", duke përparuar transparencën fiskale ndërkombëtare dhe duke përfshirë për herë të parë kriptoasetet.
Si pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare për raportimin e përbashkët që prej 2020-s, bankat dhe institucionet financiare në Shqipëri mbledhin të dhëna për llogaritë e rezidentëve jashtë vendit. Në të njëjtën mënyrë, autoritetet tatimore të vendeve të tjera dërgojnë informacion për llogaritë bankare që shqiptarët mbajnë jashtë Shqipërisë.
Të dhënat e raportuara përfshijnë identitetin e zotëruesit të llogarisë dhe vlerën e saj në fund të vitit. Risia për vitin 2026 është përfshirja e transaksioneve të shitjes ose blerjes së kriptomonedhave, si Bitcoin, nëpërmjet platformave që veprojnë ose kanë klientë në Shqipëri.
Ekspertja e ekonomisë Romina Radoshiqi shpjegon se nuk bëhet fjalë për një kontroll mbi të ardhurat, por për forma deklarimi. "Kjo është një mënyrë shkëmbimi automatik për të ushtruar presion kundër fshehjes së parave, informalitetit dhe evazionit fiskal", thotë ajo. Gjithashtu, e cilëson si hap që afron Shqipërinë si vend të sigurt për BE-në, sipas kërkesave të saj për gjurmueshmëri.