Qeveria e Kosovës ka filluar procedurat për formimin e një strukture të veçantë të sigurisë të quajtur Xhandarmëri. Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se kjo strukturë do të ketë një gamë të gjerë përgjegjësish.
KFOR ka bërë të ditur se po ndjek nga afër deklaratat e institucioneve të Kosovës lidhur me këtë nismë. Në përgjigjen e dhënë për mediat, KFOR ka theksuar se NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
KFOR ka shtuar se bashkëpunon në mënyrë të paanshme me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in. Ai ka kujtuar gjithashtu mbështetjen e dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur në takim zëvendës ndihmës sekretarin e përgjithshëm për partneritete në NATO, Kevin Hamilton. Në këtë takim është diskutuar edhe për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës.