Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, foli sot në Kuvend për protestën kombëtare të thirrur nga opozita më 24 janar 2026 në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Ajo iu përgjigj akuzave të opozitës se policia ka ushtruar dhunë ndaj manifestuesve.
Koçiu theksoi se Policia e Shtetit nuk ushtroi dhunë, por u përball me akte të tilla nga ana e protestuesve. Sipas saj, efektivët u sulmuan me kokteje molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta pranë institucioneve shtetërore. Si pasojë, 11 punonjës policie u lënduan dhe u trajtuan në spital.
Ajo shpjegoi se policia bëri thirrje të vazhdueshme për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe ndalimin e dhunës. Vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e punonjësve u bë evident, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit. Akuzat për përdorim force të tepruar i cilësoi të pavërteta dhe të pabazuara.
Koçiu nënvizoi se e drejta për protestë është kushtetuese dhe e pacenueshme, por dhuna, si hedhja e molotovëve dhe sulmet ndaj institucioneve, përbën shkelje të ligjit dhe cenon rendin demokratik. Ajo u bëri thirrje të gjithëve të dënojnë dhunën dhe të mos mbrojnë autorët e saj.
Sa i përket shoqërimit të një të mituri, ministrja sqaroi se policia e konstaton duke gjuajtur gurë dhe sende të forta ndaj efektivëve. Për të mbrojtur jetën e punonjësve dhe të të miturit, ai u mor për verifikim. Bëhet fjalë për një 14-vjeçar, i cili u mbajt në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm, pa u trajtuar në mënyrë të paligjshme apo çnjerëzore. Pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor, i mituri u lëshua i lirë. Koçiu akuzoi opozitën se po e përdor rastin si manipulim politik dhe mburojë për të justifikuar dhunën, duke theksuar se askush nuk është mbi ligj.