Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajori Özkan Ulutaş, ka pritur në një vizitë lamtumirëse ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı. Takimi është zhvilluar në selinë e KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë.
Ngjarja është organizuar me rastin e përfundimit të mandatit diplomatik të ambasadorit Angılı në vend. Gjatë këtij takimi, gjeneralmajori Ulutaş shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të ofruar nga ambasadori turk përgjatë mandatit të tij, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme.
Në njoftimin për media, KFOR-i ka theksuar se vijon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Po ashtu, forca paqeruajtëse ritheksoi përkushtimin për të siguruar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë.