Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) njoftoi të premten arritjen e bashkëpunimit me brendin Adidas për fanellat e reja të përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Ky bashkëpunim mundësohet nga Skema e Asistencës për Veshje e UEFA, e themeluar në vitin 2007. Përmes saj, federatat kombëtare furnizohen me veshje cilësore për ndeshje dhe stërvitje, të dizajnuara në mënyrë të personalizuar sipas identitetit të ekipit.
Për dy sezonet e ardhshme, dhjetë kombëtare evropiane, përfshirë Kosovën, do të paraqiten me dizajne unike të Adidas, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me federatat përkatëse. Kjo synon krijimin e një identiteti vizual të veçantë për secilën përfaqësuese.
FFK do të ketë qasje në shërbimin ekskluziv “Locker Room” të Adidas, që lejon dizajnimin dhe porositjen e veshjeve të personalizuara për ekipet. Ky shërbim rrit standardet e performancës sportive dhe siguron prezantim dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Fanellat e reja do të përdoren që nga cikli i ri i garave evropiane.