Komentatori veteran Murat Ekrem Çimen është larguar nga detyra e tij si telekronist për ndeshjet e Kupës së Botës 2026, pas një gabimi gjatë transmetimit të takimit ndërmjet Iranit dhe Zelandës së Re. Gjatë katër minutave të para të ndeshjes, Çimen identifikoi gabimisht lojtarët e të dyja ekipeve, duke shkaktuar konfuzion te shikuesit. Ai e kuptoi gabimin vetëm kur në ekran u shfaq sulmuesi iranian Mehdi Taremi.
Në një deklaratë zyrtare, TRT e cilësoi incidentin si të papranueshëm sipas standardeve të transmetimit të kompanisë. Televizioni shtetëror turk njoftoi se janë iniciuar procedurat administrative dhe të inspektimit për rastin. Megjithëse Çimen është përjashtuar nga ekipi i komentatorëve të ndeshjeve për pjesën e mbetur të turneut, ai do të angazhohet në programe të tjera brenda televizionit.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ku videoja e komentimit u bë virale. Pas valës së kritikave nga publiku, Murat Ekrem Çimen ka mbyllur llogaritë e tij në rrjetet sociale. TRT ka kërkuar zyrtarisht falje për gabimin e bërë nga komentatori, i cili njihet për një përvojë prej më shumë se tri dekadash në fushën e sportit.