Pas zbulimit të disa mbetjeve mortore në një fushë të hapur në Rahovec, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka konfirmuar zyrtarisht se bëhet fjalë për mbetje skeletore me origjinë njerëzore. Rasti u raportua fillimisht të mërkurën e kësaj jave nga një qytetar, ndërsa dyshohet se eshtrat janë nxjerrë në sipërfaqe nga uji i reshjeve të fundit atmosferike në vendin e quajtur Rimnik i Tarës.
Ekspertët e IML-së, në bashkëpunim me hetuesit e policisë, kanë dalë në vendin e ngjarjes më 31 korrik 2026, ku pas gërmimeve kanë bërë tërheqjen e mbetjeve eshtërore për ekzaminim. Sipas vlerësimeve fillestare të ekspertëve mjekoligjorë, mbetjet janë shumë të vjetra. Për shkak të këtij konstatimi dhe konfiguracionit të terrenit, rasti pritet të dalë jashtë kompetencave të drejtpërdrejta të IML-së për hetime të mëtejshme penale.
Aktualisht, Instituti i Mjekësisë Ligjore është në proces të përpilimit të një raporti profesional mbi gjendjen dhe vjetërsinë e këtyre mbetjeve. Ndërkohë, çështja do të vazhdojë të trajtohet nga Stacioni Policor në Rahovec, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, me qëllim sqarimin e plotë të origjinës dhe rrethanave se si këto mbetje kanë përfunduar në atë lokacion.
Përditësime
Policia e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht zbulimin e mbetjeve njerëzore në komunën e Rahovecit. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) i kanë klasifikuar ato si "me interes për IML", duke filluar procedurat e mëtejshme të trajtimit.