Ditën e sotme, një kontroll blic i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është realizuar në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit. Operacioni, i kryer nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), është përqendruar në sektorin ku mbahet i izoluar biznesmeni Ergys Agasi.
Sipas informacioneve të bëra të ditura, në kuzhinën e këtij sektori janë gjetur dhe sekuestruar pije alkoolike, si dhe disa pajisje wireless. Objektet e sekuestruara janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm për të përcaktuar përdorimin e tyre. Kontrolli vjen si vazhdimësi e hetimeve për grupin kriminal që dyshohet se ka vepruar brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ergys Agasi u ndalua nga forcat e rendit pak javë më parë në qytetin e Durrësit, pasi kishte qëndruar për më shumë se 8 muaj në arrati. Ai përballet me akuza të rënda penale, ku përfshihen krijimi i një grupi të strukturuar kriminal, korrupsioni aktiv, pastrimi i parave, konkurrenca e paligjshme, heqja e paligjshme e lirisë dhe shkelja e barazisë në tendera. Në këtë dosje janë përfshirë edhe persona të tjerë, si Ermal Beqiraj, i cili u arrestua më herët në Francë, dhe ish-efektivi i policisë, Uljan Shpataraku.