Koreja e Jugut është përfshirë nga një valë e fuqishme të nxehti, duke shënuar një rekord të ri meteorologjik. Sipas Administratës Meteorologjike të Koresë (KMA), temperatura në qytetin Yangsan arriti në 42.5°C ditën e diel, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë që prej nisjes së matjeve në vitin 1904. Qyteti në fjalë, i cili ndodhet në juglindje të vendit, ka përjetuar temperatura mbi 40°C për të pestën ditë radhazi. Gjendje e rënduar është raportuar edhe në qytete si Daegu, Busan dhe Gyeongju, ku në këtë të fundit termometri ka shënuar 40.3°C, niveli më i lartë i regjistruar në tetë vitet e fundit.
Autoritetet kanë aktivizuar sistemin e ri të alarmit emergjent për valë të nxehti në më shumë se 20 zona të vendit, i cili vihet në zbatim kur temperaturat parashikohen të jenë 38°C ose më shumë. Për më tepër, rreth 157 qytete janë vënë në gjendje gatishmërie. Kjo valë e të nxehtit ka prekur edhe Korenë e Veriut, ku në rajone të ndryshme janë shënuar deri në 40°C, ndërsa në Phenian temperaturat e natës nuk kanë zbritur nën 25°C gjatë javës së fundit.
Kryeministri Han Seong-suk ka kërkuar nga autoritetet vendore shtimin e kontrolleve për grupet më të rrezikuara, si dhe sigurimin e furnizimit të pandërprerë me ujë dhe energji elektrike. Qytetarëve u është këshilluar shmangia e aktiviteteve në natyrë, veçanërisht punës fizike dhe sportit gjatë orëve të pikut, si dhe qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar. Ndërkohë, meteorologët po vëzhgojnë lëvizjen e tajfunit Dolphin, i cili pritet të ndikojë në kohëzgjatjen dhe intensitetin e kësaj vale të nxehtë, varësisht nga trajektorja që do të ndjekë drejt brigjeve të Kinës apo gadishullit korean.
Agjencia Meteorologjike Koreane ka evidentuar një rritje të dukshme të fenomenit, ku mesatarja vjetore e ditëve me temperatura ekstreme është shtuar nga 8 ditë në vitet 1970, në rreth 19 ditë në vit gjatë pesë viteve të fundit.