Koreja e Veriut lëshoi një raketë drejt detit në brigjet lindore, sipas njoftimeve nga forcat e armatosura të Koresë së Jugut dhe Japonisë. Autoritetet e Koresë së Jugut e bënë të ditur këtë përmes një mesazhi të shkurtër për gazetarët, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi trajektoren apo rrezen e saj. Dyshohet se bëhet fjalë për një raketë balistike, sipas autoriteteve japoneze.
Roja bregdetare e Japonisë njoftoi se raketa ka rënë në det, ndërsa transmetuesi publik NHK, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes, raportoi se ajo ka rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Lëshimi ndodhi në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të mëdha, të nisura pesë ditë më parë. Sipas Seulit dhe Uashingtonit, këto stërvitje kanë karakter mbrojtës dhe synojnë të testojnë gatishmërinë përballë kërcënimeve nga Koreja e Veriut.
Koreja e Veriut, e cila zotëron armë bërthamore, ka kundërshtuar këto stërvitje, duke i cilësuar si prova të përgjithshme për një sulm të armatosur nga dy aleatët.
Në vijim të tensioneve, të enjten kryeministri i Koresë së Jugut u takua në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, ku diskutuan mundësitë për rifillimin e dialogut me Korenë e Veriut. Ky dialog mbetet i pezulluar që prej vitit 2019.