Në Davos është themeluar sot Bordi i Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për paqen e udhëhequr nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Kosova është bërë pjesë e këtij bordi, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka qenë e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me liderë të tjerë botërorë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në një postim në Facebook, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment historik. Ai ka theksuar se përfshirja e Kosovës në tryezat ku diskutohet paqja globale është dëshmi e suksesit të vendit dhe përgjegjësi për rolin e tij si shtet i ri.
Abdixhiku ka shkruar se Kosova, e cila ka kaluar nga lufta në liri falë ndërhyrjes ndërkombëtare, nuk shihet më vetëm si përfituese e paqes, por si pjesë e saj. Në një botë gjithnjë e më fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të forcon sigurinë kombëtare, thellon aleancat strategjike dhe vendos Kosovën në anën e paqes dhe aleancave të drejta.
LDK e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik si arritje kombëtare, para së cilës mburremi të gjithë.