Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës më 22 prill 2026, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, nënshkroi me homologen e saj, Annelies Verlinden, Marrëveshjen dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale.
Marrëveshja pritet të rrisë ndjeshëm efikasitetin në luftimin e krimit transnacional. Ajo krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë. Gjithashtu, parashikon shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat ndërkombëtare moderne.
Sipas Donika Gërvalla, marrëveshja përcakton qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale. Këto përfshijnë kushtet për ofrimin e ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat për kërkimin dhe realizimin e saj.
Ministrja Gërvalla falënderoi Annelies Verlinden për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedën konstruktive e frytdhënëse. Ajo theksoi angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.