Republika e Kosovës dhe Republika e Panamasë kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare. Marrëveshja u firmos nga Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, dhe Carlos A. Hoyos, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme të Panamasë, në një ceremoni zyrtare.
Gjatë takimit dypalësh që i parapriu nënshkrimit, përfaqësuesit diskutuan nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta. Në fokus të bisedimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit në fusha si siguria, arsimi i lartë dhe turizmi.
Palët u pajtuan që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel zëvendësministrash, të zhvillohet në Prishtinë në fund të vitit 2026. Ky hap synon thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e lidhjeve diplomatike.