Ditëve të fundit u raportua se Kosova mund të mbetej jashtë garave të futbollit në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, për shkak të një mosmarrëveshjeje mes Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) rreth përfaqësimit dhe organizimit të ekipit.
Tashmë kjo situatë është sqaruar përfundimisht. Kosova do të marrë pjesë në turneun e futbollit me kombëtaren e vajzash U18. Pjesëmarrja u konfirmua nga burime brenda FFK-së dhe nga KOK.
Zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi, deklaroi se kjo është konfirmuar edhe nga FFK. “Në këto lojëra do të marrin pjesë diku 100 sportistë nga Kosova. Lista nuk është ende përfundimtare, por do të jenë diku 20 disiplina që do të marrin pjesë sportistët tanë”, u shpreh Krasniqi.
Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026 në Taranto të Italisë, duke mbledhur mbi 20 shtete pjesëmarrëse nga rajoni mesdhetar.