Më shumë se çdo i treti i burgosur në Kosovë është nën moshën 30-vjeçare. Të dhënat, të publikuara në fund të prillit në kuadër të Indeksit të Pjesëmarrjes së Rinisë, tregojnë se Kosova ka përqindjen më të lartë të të rinjve në shërbimin korrektues në të gjithë rajonin.
Një vit më parë, Kosova ishte e dyta, pas Shqipërisë. Për dallim nga vende të tjera që ulën përqindjen e të burgosurve nën 30 vjeç gjatë vitit 2024, Kosova shënoi rritje dhe u rendit e para. Serbia regjistroi përmirësimin më të madh, me rënie nga 34.8% në 20.6%.
Komente nga ekspertët
Ferid Murseli nga organizata Demokracia për Zhvillim (D4D), që grumbulloi të dhënat zyrtare për Kosovën, thotë se këto shifra nuk tregojnë vetëm për sistemin penal. “Në vendin tonë, çdo ditë themi që ‘ky vend ka rini’, ‘rinia është e ardhmja’, por në fakt kjo tregon saktë se ku qëndron rinia, qoftë në dimensionin politik, social ose ekonomik”, deklaron ai për Radion Evropa e Lirë.
Përveç kësaj, Kosova ka rreth 35% të të rinjve jashtë arsimit, punës dhe trajnimeve, niveli më i lartë në rajon. Ajo ka po ashtu shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së të rinjve në fuqinë punëtore, dukshëm nën objektivin 83% të Eurostat-it. “Është një numër shumë i lartë. Nëse ke papunësi të madhe, atëherë ka gjasa më të mëdha që të rinjtë të jenë të përfshirë në faktorë negativë”, shton Murseli.
Ai kërkon investime në reforma arsimore, orientim në karrierë, shkolla profesionale dhe aktivitete komunitare. “Duhet të ketë më shumë qendra rinore funksionale, aktivitete sportive, kulturore dhe artistike, në mënyrë që të rinjve t’u ofrohen alternativa pozitive”, thotë ai.
Sociologia Donika Gashi nga Instituti Musine Kokalari e sheh këtë si pasojë të faktorëve socialë të thellë. “Kjo shifër nuk mund të lexohet thjesht si çështje kriminaliteti, por si simptomë e pasigurisë ekonomike, dështimit arsimor dhe margjinalizimit social”, deklaron ajo për Radion Evropa e Lirë. Sipas saj, shumë të rinj hyjnë në konflikt me ligjin për shkak se nuk arrijnë të gjejnë mundësi.