Kosova u pranua anëtare me të drejta të plota në Asociacionin Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (ERRA), gjatë Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur më 28 prill në Bratislavë, Sllovaki.
ZRRE bëri të ditur se Kosova ka qenë anëtare e asociuar e ERRA-s që nga themelimi i saj. Ky status i ri përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale, duke mundësuar pjesëmarrje të plotë në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës, si dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e ZRRE-së ndaj standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, si dhe kontributin e ekspertëve të saj në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s.
ZRRE rithekson angazhimin për avancimin e kornizës rregullatore në Republikën e Kosovës, duke promovuar transparencën, qëndrueshmërinë dhe integrimin e tregut energjetik sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi, ajo do të intensifikojë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë dhe do të kontribuojë aktivisht në zhvillimin e politikave për një sektor energjetik të sigurt dhe të qëndrueshëm.