Kosova me ushtarët e FSK-së pritet të marrë një rol domethënës në sigurinë e Gazës Veriore, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Rripin e Gazës. Ky angazhim nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet në Prishtinë, por harta të publikuara në faqe interneti për siguri e tregojnë Kosovën si përgjegjëse për këtë zonë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani të premten në Uashington, falënderoi Kosovën për angazhimin, duke e cilësuar si anëtar themelues në "Boardin e Paqes" dhe kontribuues në ISF bashkë me Indonezinë, Kazakistanin, Marokun dhe Shqipërinë. Kjo e fundit figuron si përgjegjëse për zonën Deir al-Balah.
Forca pritet të ketë rreth 20 mijë ushtarë, prej të cilëve 10 mijë i premtoi Indonezia, vendi i cili do të ketë një gjeneral si zëvendëskomandant. Përveç kësaj, sigurisë do t’i kontribuojnë edhe 20 mijë policë, kryesisht nga Egjipti dhe Jordania.
Sipas Epoka e Re, gatishmërinë e Kosovës e konfirmoi komandanti i KFOR-it, gjenerali amerikan Xhasper Xhefers, si dhe vetë Izraeli. Në Prishtinë, kjo shihet si hap i rëndësishëm për forcimin e rolit ndërkombëtar të vendit në operacionet paqeruajtëse.
Ngjashëm me KFOR-in e NATO-s që siguroi Kosovën pas luftës së vitit 1999, kjo forcë do të ndahet në sektorë të udhëhequr nga vende të ndryshme.
Përditësime
Një gjeneral brigade i Kosovës pritet të udhëheqë Zonën e Gazës Veriore.
Ky angazhim "do të jetë arritja më e madhe në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës që nga vendimi i GJND-së dhe përgjegjësia më e madhe në skenën ndërkombëtare."