Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka marrë një vendim lidhur me ankesën e një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), duke anuluar vendimin e këtij institucioni për tërheqjen e tij nga misioni diplomatik në Kroaci.
Sipas të dhënave, zyrtari ishte emëruar në pozitën e Zyrtarit të Lartë për Emigracion më 1 gusht 2024. Më 25 shkurt 2025, ai u caktua të shërbente në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb për një mandat katërvjeçar, detyrë të cilën e nisi më 1 maj 2025. Megjithatë, më 22 janar 2026, MPJD nxori një vendim për tërheqjen e tij nga misioni, duke kërkuar paraqitjen e tij në ministri më 3 shkurt 2026.
Në ankesën e tij drejtuar KPMShCK-së, zyrtari argumentoi se vendimi ishte marrë në mënyrë të kundërligjshme, pa respektuar dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Ai theksoi se asnjëri nga këto ligje nuk i jep ministrit të drejtën për tërheqjen e një zyrtari nga misioni diplomatik bazuar vetëm në diskrecionin e tij.
Pas shqyrtimit të provave, KPMShCK konstatoi se ankesa e zyrtarit është e bazuar për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore. Këshilli ka obliguar MPJD-në që brenda 15 ditëve nga pranimi i vendimit, të rishqyrtojë rastin dhe të nxjerrë një vendim të ri, duke marrë parasysh argumentet dhe vërejtjet e institucionit mbikëqyrës. Ky vendim është marrë për një akt administrativ të nxjerrë gjatë kohës kur ministria drejtohej nga Donika Gërvalla-Schwarz.
Përditësime
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka anuluar vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për tërheqjen e diplomatit A.Ç., duke konstatuar shkelje ligjore. Sipas organit mbikëqyrës, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz ka shkelur nenin 48 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Vendimi ishte proceduralisht i mangët, pasi përmbante vetëm pjesën hyrëse dhe dispozitivin, pa ofruar arsyetim faktik apo këshillë juridike mbi bazën e së cilës është marrë akti.