Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e paaudituara të deklarimit financiar të subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 12 tetor 2025, për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.
Lëvizja Vetëvendosje deklaroi të hyra totale prej 604.013,40 euro, ndërsa shpenzimet arritën në 992.562,74 euro.
Të hyrat
Të hyrat kryesore erdhën nga buxheti i shtetit, me 567.451,40 euro. Donacionet dhe kontributet në të holla u deklaruan 36.680 euro, kryesisht përmes arkës. Midis kontribuuesve individualë dhe subjekteve juridike figurojnë emra si Fatban Bunjaku, Kaltrina Naser Gruda, Arnis Halili, Driton Hyseni, Agon Batusha, Albi Rudi, Kledi Kabashi, Veton Shala, Laureta Taçaj, Drin Halilaj, Arianit Bytyqi, Granit Gegaj, Avni Dehari, Ahmet Gashi, Kristijan Rama dhe Sherif Sabit Gashi.
Shpenzimet
Shpenzimet më të mëdha u bënë në reklamat, reprezentacionin dhe konferencat, me 802.265,49 euro, duke përfshirë qiratë e hapësirave, ushqimin, reklamat në media dhe shpenzime promovuese të tjera.
• Transporti: 118.468,75 euro
• Shpenzime të përgjithshme: 56.676,01 euro
• Paga dhe kompensime: 2.225 euro
Në fund të periudhës, Vetëvendosje kishte 288.720,89 euro para dhe ekuivalentë të parasë, krahasuar me 731.554,10 euro në fillim. Detyrimet afatshkurtra arritën 388.431,34 euro, kryesisht ndaj operatorëve privatë për shërbime reklamuese dhe qira.