Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump mund të takohen në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili do të mbahet në Kinë gjatë muajit nëntor. Mundësia e një kontakti mes dy liderëve u bë e ditur nga Yury Ushakov, ndihmësi i presidentit rus për politikën e jashtme, në një intervistë për televizionin shtetëror rus VGTRK.
Ushakov theksoi se nëse dy krerët e shteteve marrin pjesë në të njëjtin aktivitet, një takim mes tyre do të ishte i pashmangshëm. Megjithatë, ai sqaroi se deri në këto momente nuk ka sinjale apo plane konkrete, duke vënë në dukje se samiti është rreth tre muaj larg dhe se deri atëherë mund të ndodhin zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare.
Në të njëjtën intervistë, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, foli për marrëdhëniet me vendet perëndimore. Lavrov deklaroi se vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian nuk do të mund të distancohen publikisht nga mbështetja ushtarake për Ukrainën. Ai akuzoi qeveritë e disa vendeve, duke përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Brukselin, se po ndjekin një politikë “anti-ruse”. Sipas kryediplomatit rus, këto shtete përfaqësojnë një “elitë haptazi rusofobe” dhe përpjekjet e tyre për t’u distancuar nga këto veprime “nuk do të funksionojnë”.