Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndërmarrë një iniciativë për takime me drejtuesit e partive parlamentare, me synim tejkalimin e ngërçit politik për formimin e institucioneve qendrore. Ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, kreu i AAK-së, Ardian Gjini, ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë takim.
Analisti politik, Ilir Deda, e ka vlerësuar iniciativën si një hap pozitiv, duke theksuar se përgjegjësia për stabilitetin e vendit tashmë bie mbi tre liderët politikë kryesorë. Sipas tij, është koha që përmes një apo dy takimeve, palët të japin një përgjigje konkrete për krijimin e institucioneve.
"Është koha e fundit që liderët të tregojnë nëse janë të aftë të gjejnë një kompromis që do t'i jepte fund krizës institucionale", u shpreh Deda. Ai e cilësoi të gabuar refuzimin e Ardian Gjinit për të marrë pjesë në komunikim, duke vënë theksin te nevoja për dialog pavarësisht rivaliteteve politike. Megjithëse agjenda e takimeve nuk është bërë publike, fokusi pritet të jetë te zhbllokimi i procesit për zgjedhjen e presidentit, formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të muajit qershor që nuk prodhuan një shumicë të qëndrueshme.