Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se Britania e Madhe do të dërgojë në Qipro helikopterë ushtarakë Wildcat, të pajisur me sisteme kundër dronëve. Këta helikopterë pritet të mbërrijnë atje nesër.
Sipas Starmer-it, kjo masë bën pjesë në përpjekjet për të rritur sigurinë e qytetarëve britanikë dhe të aleatëve në rajon, në kushtet e tensionesh në Lindjen e Mesme.
Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur dërgimin e katër avionëve luftarakë Typhoon shtesë për të përforcuar skuadriljen britanike në Qatar.
Londra i ka dhënë leje Shteteve të Bashkuara të përdorin bazat ushtarake britanike për zhvillimin e operacioneve mbrojtëse. "Do ta mbajmë këtë mburojë mbi qytetarët britanikë në rajon dhe mbi aleatët tanë", deklaroi Starmer.
Qeveria britanike po punon çdo ditë për të forcuar mbrojtjen dhe për të ndihmuar në largimin e njerëzve nga zona e Gjirit Persik. Deri tani, më shumë se 140 mijë persona në rajon kanë regjistruar praninë e tyre pranë qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Përditësime
Dy helikopterë Wildcat mbërritën sot në Qipro, të shkarkuar nga avioni C-17.
Ministria e Mbrojtjes e konfirmoi me foto.
Gjithashtu, Britania po dërgon anijen HMS Dragon, e cila pritet të mbërrijë në Qipro në javët e ardhshme.