Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, më 4 mars 2026, deputetët e qarkut të Tiranës në selinë rozë të Partisë Socialiste. Takimi parashikohet të nisë në orën 14:00. Deri tani nuk ka detaje të konfirmuara për temat e diskutimeve, por burimet e lidhin me organizimin partiak.
Një ditë më parë, më 3 mars 2026, Rama mblodhi Kryesinë e PS-së, ku foli i vetëm për rreth 30 minuta. Në atë mbledhje ai lajmëroi hapjen e fushatës për zgjedhjet brenda partisë dhe u kërkoi socialistëve të nisin dialogun me bazën. Porositë kryesore përfshinin:
- shtrirjen e dialogut me bazën dhe përqendrimin në bashki të caktuara;
- forcimin e bashkëpunimit me bazën socialiste;
- përgatitjen për pasojat ekonomike nga lufta në Lindjen e Mesme.
Zgjedhjet për kryetarët e degëve të PS-së parashikohen në periudhën maj-qershor ose qershor-korrik, sipas burimeve. Socialistët pritet të kalojnë pranverën me organizim partiak, takime në terren, rekrutime të reja dhe punë me anëtarët.
Në mbledhjen e sotme pritet të jenë të pranishëm deputetët e Tiranës, drejtuesit e bashkisë së kryeqytetit dhe të njësive administrative. Tirana drejtohet ende nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli, pasi Gjykata Kushtetuese e la në detyrë duke rrëzuar dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhje të parakohshme bashkiake nëntorin e kaluar.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama zhvilloi mbledhjen në selinë e PS-së me deputetët e Tiranës, drejtuesit socialistë të njësive, drejtuesit e njësive administrative dhe përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë, raporton gazetari Muhamed Veliu i Top Channel. Zgjedhjet për kryetarët e degëve nisin në qershor.
Kryeministri Edi Rama diskutoi në mbledhje problemet në Tiranë për shkak të mungesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliaj.