Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pjesë e edicionit të 52-të të forumit “Intelligence on the World, Europe and Italy”, i cili zhvillohet në Cernobbio të Italisë. Ky aktivitet mbledh krerë të institucioneve, politikës dhe ekonomisë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi sfidat gjeopolitike, pozicionin e Evropës në skenën globale dhe rolin e Mesdheut në zhvillimet ndërkombëtare.
Në kuadër të forumit, kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë në panelin me temë “Agjenda për Evropën”, në një sesion të veçantë kushtuar rajonit të Mesdheut. Pjesë e këtij paneli është edhe kryeministri i Kroacisë dhe Presidenti i MED9, Andrej Plenković, ndërsa moderimi do të kryhet nga ish-kryeministri italian, Paolo Gentiloni.
Përveç çështjeve mesdhetare, forumi trajton tema si integrimi evropian, sovraniteti, mbrojtja dhe siguria, si dhe rruga e Evropës drejt konkurrueshmërisë. Në këtë edicion është konfirmuar prania e përfaqësuesve nga gjashtë qeveri, përfshirë Italinë, Kroacinë, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara, Portugalinë dhe Turqinë. Gjithashtu, marrin pjesë ministra të kabinetit italian, dy komisionerë evropianë, Presidenti i Këshillit Evropian dhe raportuesi i BE-së për Tregun e Përbashkët.
Kjo vizitë e kryeministrit Rama zhvillohet në një periudhë ku qeveria italiane, e drejtuar nga Giorgia Meloni, ka arritur një rekord si qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane, pas 1,413 ditësh në detyrë.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në panelin 'Agjenda për Evropën' me temë 'Mesdheu i zgjeruar'. Diskutimi do të moderohet nga Paolo Gentiloni, në cilësinë e Presidentit të Këshillit Këshillimor të EIB Global. Agjenda e forumit parashikon ndërhyrjen e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, përpara sesionit ku merr pjesë kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama adresoi sfidat e konkurrueshmërisë në panelin 'Agjenda për Europën' në Cernobbio. Ai paralajmëroi se Europa përballet me një rrezik të ngjashëm me një ajsberg, duke theksuar hendekun teknologjik: vetëm 4 nga 50 kompanitë më të mëdha teknologjike në botë operojnë në kontinentin evropian. Rama vuri në dukje gjithashtu se asnjë universitet i Bashkimit Europian nuk renditet në 20-tëshen e parë të universiteteve globale.