Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, më 9 nëntor, në orën 11:00. Sipas njoftimit të publikuar më 6 nëntor, në rendin e ditës së mbledhjes është përfshirë shqyrtimi i propozimit për rendin e ditës së seancës plenare të radhës.
Në propozimin për seancën plenare është paraparë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike.
Një pikë tjetër e propozuar është mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Sipas rendit të propozuar, seanca plenare do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme. Më pas janë paraparë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, si dhe shqyrtimi i interpelancës dhe mocionit për energjinë.
Rendi i ditës i mbledhjes së Kryesisë përfshin fillimisht miratimin e procesverbalit të mbledhjes së saj të mëparshme. Në vijim, anëtarët do të shqyrtojnë propozimin për rendin e ditës së seancës plenare të radhës dhe propozimet e kërkesat.