Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në 16-vjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ka deklaruar se ky vendim mbetet një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e shtetit. Sipas tij, opinioni i GJND-së i dha fund pretendimeve kryesore juridike që kundërshtonin pavarësinë dhe mëvetësinë e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Kurti nënvizoi se ky opinion riafirmoi parimin se e drejta ndërkombëtare nuk shërben për të ruajtur padrejtësitë, por për të mundësuar shprehjen e paqes, lirisë dhe vetëvendosjes demokratike. Ai shtoi se vendimi sqaroi për bashkësinë ndërkombëtare se deklaratat e pavarësisë nuk janë të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare dhe se çdo rast duhet vlerësuar mbi bazën e fakteve specifike.
Kryeministri theksoi nevojën për të mbrojtur këtë trashëgimi përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Ai kërkoi që legjitimiteti i Republikës së Kosovës të forcohet përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë së vazhdueshme.
Në fund, Kurti kujtoi se opinioni u shpall nga kryetari i atëhershëm i GJND-së, profesor Hisashi Owada. Ky i fundit, vitin e kaluar, u nderua nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij në të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.