Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën në mbrëmje, me kërkesën e tij u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht operacionin ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcave partnere kundër Republikës Islamike të Iranit.
Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ritheksoi qëndrimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës përkrah aleatëve strategjikë, në veçanti SHBA-së, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me SHBA-në, mbështet veprimet e ndërmarra ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran. Këto veprime vlerësohen si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.
Njëkohësisht, Kosova shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend. Ato po monitorojnë për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ndodhen në komunikim të vazhdueshëm me partnerët strategjikë.
Qytetarëve u bëhet thirrje të qëndrojnë të qetë, të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile, si dhe të mos bien pre e dezinformatave apo propagandës që synojnë destabilizimin e vendit, krijimin e tensioneve ose përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Kosovës.
Përditësime
SHBA dhe Izraeli vranë liderin suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra figura të larta shtetërore në sulme ajrore.
SHBA nisi operacionin për shkak të refuzimit iranian ndaj kufizimeve në programin bërthamor dhe raketor.
Irani ka kundërpërgjigjur duke lansuar raketa dhe dronë kundër bazave amerikane në rajon; të gjitha u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.
Izraeli vazhdon sulmet në Teheran; Irani ka sulmuar në Dubai dhe Doha, sipas raportimeve të hershme.
SHBA rithekson politikën e saj të hershme se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.
Zhvillime të tjera:
- Izraeli konfirmon vazhdimin e sulmeve të së dielës në "zemër të Teheranit".
- Irani vazhdon sulmet ndaj shteteve të Gjirit Arab.