Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj akuzave të ish-kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, lidhur me një organizim të mundshëm të protestave nga Lëvizja Vetëvendosje kundër projektit për gazin amerikan. Kurti i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në një deklaratë për mediat, Kurti u shpreh se fakti që emri i Lëvizjes Vetëvendosje lidhet shpesh me protestat është më shumë çështje e perceptimit të palëve të treta, sesa pasqyrim i veprimeve aktuale të subjektit politik që ai drejton. “Kam parë që kanë qarkulluar disa lajme për atë se Lëvizja Vetëvendosje planifikon protesta. Natyrisht, në këtë shekull protestat më të fuqishme i ka bërë VV-ja dhe ndoshta kur njerëzit e mendojnë protestën, e mendojnë VV-në. Mirëpo, kjo nuk flet asgjë për neve, flet për ata”, deklaroi Kurti.
Këto deklarata vijnë pas reagimit të Ramush Haradinajt, i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale kishte akuzuar kryeministrin në detyrë për qasje kundër projektit të gazit amerikan. Haradinaj kishte shtruar pyetje mbi qëndrimet e Kurtit, duke pretenduar se pas riaktualizimit të çështjes së gazit, njerëz të afërt me kryeministrin po mobilizohen për protesta. Përveç kësaj, Haradinaj pretendoi se Kurti i ka mundësuar Serbisë hapësirë tregtare dhe energjetike në kurriz të interesave të Kosovës.