Albin Kurti, kryeministër i Qeverisë së Kosovës, ka cilësuar ushtrimet e parashutistëve të ushtrisë serbe në afërsi të brezit kufitar si provokim dhe shfaqje të rrezikshme e agresionit.
Kurti ka theksuar se këto veprime në zonën e Karaçevës, nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve serbë me helikopterë H145M dhe lëshime parashutash disa metra larg kufirit, paraqesin kërcënim.
Lidhur me deklaratat e tij, KFOR ka reaguar duke konfirmuar se Forcat e Armatosura Serbe (FAS) e kishin njoftuar paraprakisht për trajnimin e planifikuar në fshatin Muhovc të Serbisë.
Një zëdhënës i KFOR-it ka deklaruar për Gazetën Express: «Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon».
KFOR, mision i udhëhequr nga NATO, vazhdon të monitorojë situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në të gjithë Kosovën. Misioni mbajt komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale të sigurisë, Shefin e Shtabit të FAS, Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Misioni është i përkushtuar ndaj mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri lëvizjeje për të gjithë banorët e Kosovës.