Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë një reflektim të thellë mbi ecurinë e reformës në drejtësi, gjatë diskutimeve për ndryshimet ligjore që prekin statusin e magjistratëve. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë veçoi SPAK-un dhe GJKKO-në si dy institucionet që përbëjnë suksesin e kësaj reforme. Në të kundërt, ai vlerësoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë falimentuar në misionin e tyre.
Sipas Ramës, shqetësimi kryesor që duhet të orientojë punën e ligjvënësve është zvarritja e proceseve gjyqësore dhe grumbullimi i dosjeve të qytetarëve, të cilat ndodhen në pritje për një kohë të gjatë. Ai kërkoi që vëmendja të zhvendoset nga lajtmotivi i arrestimeve të përditshme, te zgjidhja e problematikave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, dosjet e të cilëve janë mbuluar nga pluhuri nëpër zyrat e drejtësisë.
Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi me 84 vota pro formulën e re për pagat e magjistratëve. Ky ndryshim ligjor sjell rritjen e koeficientit të pagës referuese nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 8,500 lekësh, një shifër kjo dukshëm më e ulët se kërkesa fillestare e mbështetur nga KLGJ dhe KLP, e cila synonte një rritje prej rreth 80 mijë lekësh.