Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur të prishë koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) në Komunën e Mitrovicës së Jugut, pas rreth një muaji bashkëpunimi.
Vendimi u mor në mbledhjen e kryesisë së degës së LDK-së në Mitrovicë, ku morën pjesë 22 anëtarë. Prej tyre, 19 votuan pro prishjes së koalicionit, një abstenoi, ndërsa Valon Bahtiri dhe Avni Syla ishin kundër.
Arsyeja kryesore lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj nga kryetari i komunës, Faton Peci, pa dakordim me partnerin e koalicionit. Konkretisht, LDK-ja kishte propozuar Gzim Plakollin për drejtor të Kulturës, por Peci zgjodhi Gazmend Asllanin.
Koalicioni ishte arritur para betimit të Faton Pecit si kryetar i Mitrovicës së Jugut. Në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje ishte zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi.
Përditësime
Gezim Plakolli deklaroi se koalicioni nuk rrezikohet dhe nuk ka diskutime për prishje, vetëm për pozita.
Safet Kamberi konfirmoi mungesën e zhvillimeve dramatike rreth koalicionit.
Planifikohen takime nesër dhe pasnesër për diskutime të rregullta.