Klubi i Arsenalit dhe gjiganti turk Besiktas kanë arritur një marrëveshje në parim për transferimin e sulmuesit Leandro Trossard. Sipas gazetarit Ben Jacobs, vlera e operacionit është vendosur në 18 milionë euro të garantuara, me shtimin e 2 milionë eurove të tjera në formë bonusesh.
Megjithëse marrëveshja mes klubeve është drejt finalizimit, detajet mbi kushtet personale të futbollistit mbeten ende në diskutim. Raportimet nga The Athletic sugjerojnë se paga vjetore e lojtarit mund të arrijë shifrën e 9 milionë eurove.
Leandro Trossard, 31 vjeç, ka një kontratë me “Topçinjtë” deri në vitin 2027. Që nga transferimi i tij nga Brightoni në vitin 2023, ai ka regjistruar 36 gola dhe 34 asistime në 174 paraqitje. Ai ishte një figurë kyçe në fitimin e titullit të Ligës Premier, duke shënuar golin vendimtar kundër West Hamit.
Aktualisht, futbollisti ndodhet i grumbulluar me Kombëtaren e Belgjikës për fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës.
Ndërkohë, drejtuesit e Arsenalit kanë filluar të shqyrtojnë tregun për zëvendësuesin e tij. Në listën e dëshirave për repartin ofensiv janë përmendur emrat e Bradley Barcola nga PSG dhe Morgan Rogers nga Aston Villa, me synimin për të ruajtur nivelin e lartë konkurrues në kampionatin anglez.