Kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hide, ka kundërshtuar publikisht propozimin e mazhorancës socialiste për reformën e re territoriale. Sipas draftit, Libohova është një ndër 15 njësitë vendore që propozohet të shkrihen dhe t'i bashkohen Bashkisë Gjirokastër.
Përmes një deklarate publike, Hide u ka bërë thirrje deputetëve të qarkut që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kundërshtuar këtë nismë. Ai vlerësoi se vota e deputetëve duhet të shërbejë për mbrojtjen e interesave të komunitetit dhe se shkrirja e bashkisë përbën një rrezik real për të ardhmen e zonës.
“Nëse kjo çështje vjen për votim në Kuvend, ju kërkoj të jeni në lartësinë e mandatit që ju është besuar dhe të mbroni me bindje interesin e komunitetit që përfaqësoni”, deklaroi Hide. Ai nënvizoi se Libohova kërkon respekt për identitetin dhe historinë e saj, duke shtuar se nuk kërkohen privilegje, por drejtësi dhe përfaqësim.
Si pjesë e qëndrimit të tij, kryebashkiaku njoftoi se nuk do të marrë pjesë në asnjë takim apo proces zyrtar ku nuk mbrohen interesat legjitime të Libohovës. Ai theksoi se prania e tij në tryeza të tilla nuk mund të shërbejë për të legjitimuar atë që ai e cilësoi si një heshtje përballë një vendimi që rrezikon të ardhmen e zonës.