Më 19 janar 2026, ndërsa në Kuvend zhvillohej seanca e parë plenare e sesionit të ri parlamentar, Lëvizja Bashkë zhvilloi një protestë para godinës.
Mbështetës të shumtë iu bashkuan demonstratës, duke mbartur pankarta me mbishkrimin “Dorëzoni Belindën”. Protesta erdhi pas akuzave të shumta për korrupsion dhe varfërimin e qytetarëve.
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndërtuar, sipas tij, një shtet të drejtë dhe demokratik. Në fjalimin e tij, Qori përfytyroi një Shqipëri ku personat me aftësi ndryshe integrohen plotësisht në jetën ekonomike dhe sociale, pa marrë lëmoshë 10 mijë lekë nga shteti. Ai kritikoi situatën ku kredia për shtëpi kërkon 100-150 vite për t’u shlyer dhe ku nuk lulëzojnë sporti, shkenca, arti e filozofia.
Qori theksoi se demokracia duhet të jetë realitet konkret, i ndërtuar nga qytetarë aktivë. Ai vlerësoi vizionin e tyre si të rrezikshëm për pushtetin politik dhe monopolet ekonomike, por të arritshëm përmes bashkimit: “Ky përfytyrim mund të bëhet realitet [...] duke u bashkuar të gjithë si një grusht, për t’i përzënë zuzarët nga qeverisja dhe për t’i hapur shtegun ndërtimit të një shteti të drejtë, demokratik, social, që i mundëson qytetarëve të vet të jetojnë me dinjitet.”