Robert Lewandowski, sulmuesi polak i Barcelonës, në një intervistë për Sky Sports ka shpjeguar se si Pep Guardiola e ndryshoi perceptimin e tij për futbollin gjatë bashkëpunimit te Bayern Munich në vitet 2014-2016.
Lewandowski kujtoi bisedat taktike me trajnerin spanjoll, ku Guardiola theksoi se sulmuesi duhet të mbështetet te intuicija e tij. “Ai më tha se mund të ndihmonte për ta sjellë topin në zonë, por të mos dëgjoja kurrë trajner që më thotë nëse të shkoj te shtylla e parë apo e dytë. Ti e di saktësisht ku duhet të shkosh”, tregoi polaku. Sipas tij, kjo periudhë e bëri ta shihte lojën nga një perspektivë më e gjerë, jo vetëm si futbollist, por si trajner.
Ai shtoi se me Guardiolën filloi ta kuptonte futbollin ndryshe dhe të mendonte jashtë pritshmërive për rolin e sulmuesit qendror. “Sulmuesi duhet të ketë instinkt për të parashikuar ku do të mbërrijë topi. Vetëm ti në fushë e ndien këtë dhe duhet guxim për të menduar ndryshe”, u shpreh Lewandowski, 37-vjeçari.
Polaku kritikoi sistemin e trajnimit të të rinjve në akademitë e futbollit. Sipas tij, formimi funksionon si një “fabrikë” ku lojtarët dalin të ngjashëm me njëri-tjetrin përmes procesit “kopjo dhe ngjit”. “Kjo nuk funksionon për një sulmues të madh. Duhet mentalitet dhe instinkt i veçantë, jo vetëm aftësi teknike”, theksoi ai.
Sa i përket së ardhmes, kontrata e Lewandowskit me Barcelona përfundon në qershor 2026. Që nga 1 janari 2026, ai mund të negociojë me klube të tjera, por nuk ndjen presion. “Do t’i jap vetes kohë dhe do ta marr vendimin me qetësi”, deklaroi sulmuesi.