Liridon Berisha, 27-vjeçar, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle në Francë, për vrasjen e partneres së tij, Stephanie Di Vincenzo, 22-vjeçare. Ngjarja ndodhi natën mes 23 dhe 24 majit 2021 në Hayange (Moselle), pas katër ditësh debati në gjykatë.
Viktima u godit me thikë në rrugë para syve të fëmijës së çiftit, 4-vjeçare, dhe të fqinjëve. Ajo kishte ikur nga banesa përmes dritares dhe kishte rënë ziles së interfonit të komisariatit të Hayange, 45 metra larg, për të kërkuar ndihmë nga forcat e rendit. Partneri e ndoqi dhe vazhdoi sulmin.
Dënimi në apel shoqërohet me një periudhë 18 vitesh pa të drejtë lirimi me kusht. Në shkallë të parë, më 2024, periudha ishte 22 vjet, maksimumi i paraparë nga ligji.
Prokurori i përgjithshëm Nicolas Burkel e cilësoi skenën si “jashtë normales për nga dhuna”. Ai theksoi se “as prania e dëshmitarëve dhe as ajo e vajzës së tij nuk e penguan të vazhdonte aktin”. Sipas tij, i pandehuri “si në korrida, e ka shpuar për ta dobësuar para se t’ia merrte jetën, e më pas ka pështyrë mbi trupin e saj”. Prokurori kërkoi konfirmimin e dënimit të parë si “dënim të eliminimit shoqëror”.
Avokati i të dënuarit, Arnaud Blanc, sipas medias Ouest-France, kujtoi se klienti i tij lindi në 1998 në Kosovë, gjatë luftës, në zonën e masakrës më të madhe, dhe pas arritjes në Francë u vendos nën kujdes për shkak të “tmerrit në familje”.
Përditësime
Policia franceze ndërhyri rreth 10 herë në banesën e çiftit para vrasjes së partneres së Liridon Berishës. Ngjarja ka nxitur polemikë për mungesën e ndërhyrjes efektive të forcave të rendit.
Liridon Berisha, i dënuar më herët me një vit burg për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, e kishte dënimin e reduktuar nga gjykata në arrest shtëpiak me brakëlektronik disa ditë para vrasjes së partneres së tij.