Pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 27 qershor, Lista Serbe ka kërkuar ndërhyrjen e PZAP-it në lidhje me procesin zgjedhor të mbajtur më 7 qershor. Në ankesën e dorëzuar, subjekti në fjalë ngre shqetësime për ato që i quan “parregullsi serioze”, të cilat sipas tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve të rezervuara për komunitetin serb.
Sipas pretendimeve të Listës Serbe, partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiqi, ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash nga votues shqiptarë, në komuna ku popullsia serbe është minimale ose inekzistente. Për këtë arsye, ata e konsiderojnë të papranueshme mënyrën e fitimit të mandatit nga ana e Rashiqit.
Në aspektin procedural, PZAP-i ka një afat ligjor prej 4 ditësh për të shqyrtuar këtë ankesë. Në rast pakënaqësie me vendimin, palët kanë të drejtë t'i drejtohen Gjykatës Supreme, e cila, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, është e obliguar të vendosë brenda një afati prej 5 ditësh. Vetëm pas përfundimit të këtyre shkallëve të ankimimit, KQZ-ja do të jetë në gjendje të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Përditësime
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar 5 ankesa zyrtare lidhur me rezultatet zgjedhore. Përveç Listës Serbe, ankesa kanë dorëzuar edhe kandidatët e PDK-së, Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu, si dhe subjekti politik Nova Demokratska Stranka. Kandidatët e PDK-së kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave, duke pretenduar për pasaktësi në regjistrimet e KQZ-së. Kryesuesi i PZAP-it, Hasan Shala, ka bërë të ditur se ankesat e mëparshme të të njëjtëve kandidatë janë refuzuar për mungesë provash, duke lënë të kuptohet se një epilog i ngjashëm pritet edhe për këto kërkesa.