Llapi ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) sqarime për anulimin e tri golave në tri ndeshjet e fundit, kundër Feronikelit ’74, Prishtinës dhe Dukagjinit. Në reagimin zyrtar, klubi nga Podujeva shprehu shqetësim për vendimet e gjyqtarëve dhe mënyrën e menaxhimit të situatave kur është në dispozicion sistemi VAR.
Për ndeshjen me Prishtinën, Llapi tha se goli i Fiton Ademit u anulua pasi gjyqtari kishte akorduar paraprakisht faull në sulm. Sipas klubit, pamjet që disponon nuk tregojnë kontakt me mbrojtësin kundërshtar që do ta arsyetonte vendimin.
Në ndeshjen ndaj Dukagjinit në Klinë, gjyqtari akordoi faull ndaj portierit para se topi të përfundonte në rrjetë. Llapi tha se nga pamjet nuk vërehet kontakt mes lojtarit të tij Gentrit Jaha dhe portierit. Sipas klubit, vendimi i marrë paraprakisht e bëri të pamundur shqyrtimin e golit përmes VAR-it. Llapi pyeti pse aksionet nuk lejohen të përfundojnë përpara se situatat të shqyrtohen sipas protokollit të VAR-it.
Rasti i tretë lidhet me ndeshjen ndaj Feronikelit ’74, ku goli u anulua pas prekjes së topit me dorë nga Jaha. Sipas versionit të Llapit, topi iu devijua lojtarit nga një kundërshtar dhe prekja me dorë nuk ishte e qëllimshme.
Klubi kërkoi që organet përgjegjëse të gjykimit në FFK t’i analizojnë tri rastet dhe të japin sqarimet përkatëse. Në komunikatë, Llapi tha se nuk kërkon favore, por gjykim të drejtë dhe të barabartë. Ai kërkoi gjithashtu reflektim dhe përgjegjësi nga personat kompetentë, në mënyrë që kampionati të zhvillohet me gjykim të drejtë, korrekt dhe të barabartë për të gjitha klubet.
Reagimi erdhi pas fitores së Llapit 1-0 ndaj Dukagjinit, në ndeshjen e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës. Rilind Hetemi shënoi golin vendimtar në minutën e 90-të.