Kombëtarja e Sllovakisë përgatitet për ndeshjen gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 kundër Kosovës, e cila luhet më 26 mars në Bratislavë. Lojtarët sllovakë Ondrej Duda, David Krçik dhe Martin Valjent kanë dhënë deklarata për këtë duel të dielën, duke e cilësuar atë si sfidë të vështirë.
Mesfushori Ondrej Duda i Al Ettifaqit theksoi motivimin e lartë të lojtarëve kosovarë, të cilët luajnë në pesë ligat më të mira evropiane. "Ata donin ta përfaqësonin vendin e tyre, edhe pse mund të ishin te Gjermania ose Zvicra. Në fund luajnë për Kosovën dhe janë vërtet të motivuar", tha ai. Duda, që ka luajtur më parë me Elvis Rexhbeçajn te Kolni, pret paraqitje të kapitenit Milan Skriniar, të cilin e vlerësoi si lojtar me përvojë. Ai ka 90 ndeshje me Sllovakinë që nga viti 2014.
Mbrojtësi David Krçik i Viktoria Plzenit, i ftuar për herë të parë, u bëri thirrje shokëve të shfrytëzojnë avantazhin e terrenit shtëpiak dhe të luajnë të bashkuar për fitore. "Ekipi duhet të qëndrojë i bashkuar dhe të ndjekë një qëllim të përbashkët", deklaroi ai.
Martin Valjent i Mallorcës, i kthyer pas pothuajse tre vitesh te kombëtarja, foli për bashkëlojtarin Vedat Muriqin. "Ai është miku im, një nga më të mirët në jetën futbollistike, sulmues i fuqishëm dhe ndoshta lojtari më i mirë me kokë që kam parë. Është i gjatë, i fortë fizikisht, por modest dhe familjar", tha Valjent, i cili ka 18 paraqitje me Sllovakinë. Ai refuzoi të zbulojë arsyet e mungesës së mëparshme dhe theksoi bisedën konstruktive me trajnerin Calzona.
Të dy ekipet janë të motivuara, ndërsa Kosova, anëtare e FIFA-s që nga viti 2016, arriti play-off-in e Euro 2020 si rezultat më të mirë.