Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, foli në emisionin “Tema e Ditës” të Arbër Hitajt për protestën e parashikuar më 24 janar.
Ai theksoi se kjo protestë do të jetë ndryshe nga ato paraardhëse dhe do të shënojë një stinë të vazhdueshme protestash me forma dhe mënyra të ndryshme.
“Kjo do të jetë një stinë protestash, një vazhdimësi protestash, protesta dhe forma nga më të ndryshmet. Format dhe mënyrat nga më të ndryshmet. Asnjë protestë nuk do t’i ngjajë protestave paraardhëse. Do të jetë një formë krejt ndryshe”, deklaroi Baçi.
Sipas tij, 24 janari, si protestë kombëtare, është dita e qytetarëve shqiptarë. “Dita që caktohet për protestë kombëtare është ditë e qytetarëve, pushteti në datën 24 janar do të jetë në duart e qytetarëve protestues, do të jenë ata që do të vendosin për mënyrën se si do të zhvillojnë protestën”, u shpreh deputeti.
Ai përsëriti se forma e saktë e protestës do të vërtetohet nga koha dhe vendi, duke e lënë në dorë qytetarëve.
Në lidhje me propozimin e mazhorancës për uljen e numrit të deputetëve, Luan Baçi u shpreh dakord. “Mendimi im personal është që 140 deputetë janë shumë në një vend me 3 milionë banorë”, tha ai.