Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi debatin për hartën administrative të vendit. Në qëndrimin e tij, Boçi vlerësoi se mazhoranca po përpiqet të maskojë pakënaqësitë e brendshme në Partinë Socialiste nën petkun e një debati demokratik, duke e cilësuar situatën si shenjë paniku dhe krize politiko-territoriale.
Sipas Boçit, procesi i ndjekur nga qeveria përbën shkelje të parimeve kushtetuese dhe ligjore. Ai theksoi se neni 108, pika 2 e Kushtetutës, kërkon marrjen paraprake të mendimit të popullsisë së territoreve ku synohet të ndryshohen kufijtë. Deputeti demokrat argumentoi se ky detyrim nuk mund të zëvendësohet nga procese formale apo diskutime të nivelit të lartë në Tiranë.
Në lidhje me argumentin e kryeministrit për një afat 60-ditor konsultimi, Boçi sqaroi se ky afat referuar ligjit nr. 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore" lidhet me kohën në dispozicion të këshillave bashkiakë dhe institucioneve për të dhënë mendimin zyrtar. Ai nënvizoi se ky proces është krejtësisht i ndryshëm nga konsultimi publik me qytetarët. Boçi kërkoi që procesi të mos reduktohet në një nismë të njëanshme, por të përfshijë analiza të detajuara ekonomike, sociale, kulturore dhe demografike për çdo zonë të prekur, si në Klos, Prrenjas, Mamaliaj, Fushë Arrëz dhe Poliçan.
Gjithashtu, deputeti i Partisë Demokratike theksoi se vendimet me impakt të gjerë publik duhet të ndjekin traditën e konsoliduar ku komisionet me paritet politik pozitë-opozitë luajnë rolin kryesor. Ai akuzoi qeverinë se po trajton reformën si një çështje të mbyllur, duke lënë mënjanë interesin e komuniteteve dhe të drejtuesve vendorë që kanë shprehur rezerva ndaj ndryshimeve të propozuara.
Përditësime
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, kritikoi qeverinë përmes një reagimi me titull 'Për kalorësin që ecën mbi gomar'. Boçi e lidhi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama me një panik politik në rritje, duke argumentuar se tensioni vjen nga pakënaqësia e drejtuesve vendorë të Partisë Socialiste ndaj nismës për Reformën Territoriale.