Mesfushori Luis Hasa është bashkuar për herë të parë me grumbullimin e Kombëtares së Shqipërisë, duke marrë ftesën për ndeshjet miqësore, përfshirë atë kundër Izraelit. Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), lojtari ndau emocionet e tij, duke theksuar se kontakti me institucionin kishte nisur kohë më parë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, është një emocion i madh. Lojtarët më kanë pritur mirë dhe kam gjetur një grup të fortë e të bashkuar”, tha Hasa. Ai tregoi se vendimi për t'iu bashkuar ngjyrave kuqezi erdhi pas përvojës së tij në ekipet e moshave të Italisë dhe ndjekjes së skuadrës shqiptare si tifoz.
Në lidhje me pritshmëritë e tij, futbollisti u shpreh se do të japë gjithçka në seancat stërvitore për të fituar besimin e trajnerit dhe për të debutuar. Sipas Hasës, ndeshjet miqësore janë të rëndësishme për t'u përgatitur për fushatën e Ligës së Kombeve, ku synohet arritja e rezultateve pozitive.